Kthehu lart

Flet njeriu i PDK’së që i ndihmoi Shpend Ahmetit të bëhej kryetar, e që tash po akuzohet nga VV

Flet njeriu i PDK’së që i ndihmoi Shpend Ahmetit të bëhej kryetar, e që tash po akuzohet nga VV GazetaExpress

Dega e Partisë Demokratike në Prishtinë katër vite më parë kishte qenë vendimtare që Shpend Ahmeti ta fitojë garën për kryetar të Kryeqytetit, duke e larguar nga udhëheqja Isa Mustafën. E zyrtari i PDK’së Bujar Cakolli, i cili para katër vitesh i kishte ndihmuar Vetëvendosjes duke i ftuar me sms qytetarët që ta votojnë Ahmetin, tani nga VV po akuzohet se i ka ndihmuar Arban Abrashit dhe  LDK’së në Prishtinë. Më 2013, Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut sigurisht se u kishte pëlqyer kjo ndihmë, por jo edhe tash kur kishin nevojë aq shumë për vota.

Sekretari i Degës së PDK’së në Prishtinë Bujar Cakolli, disa javë pasi që Ahmeti ishe shpall fitues i balotazhit me kryetarin e LDK’së Isa Mustafën, kishte thënë se, po të mos ishin mesazhet e tij dërguar miqve nëpërmjet të cilave ka kërkuar votën për Shpendin, Vetëvendosje zor se do ta merrte Prishtinën.

“Në zgjedhjet e vitit 2013 në raundin e  dytë në balotazh PDK nuk ka pas ndonjë qëndrim për ndonjërin prej kandidatëve, mirëpo një pjesë brenda degës kemi menduar që Prishtinës i duhet një ndryshim dhe kemi dal të gjithë e kemi votu Shpendin, duke menduar që po e ndryshojmë një qeverisje 13 vjeçare të LDK-së. Por, fatkeqësisht, e kemi pa që kanë ndryshuar vetëm fytyrat  dhe jo mentaliteti dhe koncepti qeverisës dhe e kemi pa që ka dështuar në qeverisjen e kryeqytetit”, ka thënë ai në një prononcim për Gazetën Express.

Siç kishte bërë 4 vite më parë, me të njëjtat metoda, Dega e Partisë Demokratike të Kosovës ka vepruar edhe në këto zgjedhje lokale në Prishtinë, por duke ndryshuar kandidatin.

Sekretari i PDK’së Bujar Cakolli e ka pranuar se në këto zgjedhje të balotazhit këtë herë dega e PDK’së është mobilizuar dhe u ka dërguar sms simpatizantëve dhe miqve të tyre për ta votuar kandidatin e LDK’së, Arban Abrashin.

“Po, tashmë është e ditur që unë si sekretar i degës dhe një pjesë e strukturave e kemi përkrah Z.Abrashin në raundin e dytë për balotazh. Por, po ne të njëjtit sms i kemi dërguar edhe për ta përkrahur Shpendin, po atëherë gjithçka ka qenë në rregull për ta, por në momentin kur ne e kemi përkrah dikë tjetër, atëherë ata janë mundu me degradu këtë proces. Edhe pse procesi i dërgimit të sms’ve është legjitim, propaganda, fushata është legjitime”, ka thënë Cakolli.

I pyetur se çfarë ndikimi kanë pasur në rezultatin e balotazhit votat e votueseve të Partisë Demokratike, Cakolli tha se krahasuar me raundin e parë, Abrashi ka marrë 10 mijë vota më shumë, dhe një pjesë e tyre domosdo kanë qenë vota të PDK’së.

Sekretari i degës së PDK’së në Prishtinë, ka thënë se besojnë fuqishëm se do të ketë përmbysje të rezultatit në kryeqytet, pasi votat me kusht do të jenë përcaktuese dhe do ta konfirmojnë fitoren e Abrashit në Prishtinë.

Mbrëmë në një debat televiziv, Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë pasur marrëveshje që ta mbështesin njëra - tjetrën në Prishtinë dhe Prizren.

Sejdiu ka thënë se partia e Mustafës për ta marrë mbështetjen e PDK-së në kryeqytet për kandidatin e tyre Arban Abrashi, nuk e ka mbështetur VV-në në Komunën e Prizrenit.

Madje Sejdiu ka bërë një krahasim qesharak në këtë paraqitje, duke u munduar ta relativizojë aferën e VV’së më OJQ’në fantome e cila u ka ofruar qytetarëve transport për ta votuar këtë subjekt.

Vetëvendosje, nëpërmjet sms’ve i kishte fituar zgjedhjet më 2013, por atëherë sigurisht se nuk u kihste konvenuar ta ngrisnin këtë shqetësim./Gazeta Express

    Data: 22 Nentor 2017 16:54
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera