Kthehu lart

Ish-kryeinspektori për transplantet ilegale në “Medicus”: Nëse vërtetë i kanë bërë, meritojnë Çmim Nobel

Ish-kryeinspektori për transplantet ilegale në “Medicus”: Nëse vërtetë i kanë bërë, meritojnë Çmim Nobel © GazetaExpress Foto: Kushtrim Ternava Morena Kokollari Autori: Morena Kokollari GazetaExpress

“Po nëse kanë kryer transplante të veshkave në Medicus, ata duhet të marrin Çmimin Nobel”. Kështu kishte thënë dikur ish-kryeshefi i Inspektoratit Shëndetësor Zef Komani, e që sot mbanë pozitën e shefit të Departamentit të psikiatrisë në Spitalin e Gjakovës. Komani, i thirrur në cilësinë e dëshmitarit për rastin “Medicus”, dëshmoi sot para trupit gjykues të EULEX për kontrollimet që janë bërë atëkohë nga ana e Inspektoratit në sektorin e shëndetësisë dhe tregoi për licencimet e bëra. Ai gjithashtu dëshmoi edhe për pacientin e fundit që ishte në “Medicus”, Bezalel Shafran, ndaj të cilit është kryer transplant i veshkës në vitin 2008. Gazeta Express ka përcjellë gjykimin e sotëm dhe dëshminë e këtij dëshmitari.

Duke u ankuar se është në gjendje jo të mirë shëndetësore, nisi të japë dëshminë e tij tash shefi i Departamentit të psikiatrisë në Spitalin e Gjakovës, Zef Komani për rastin “Medicus”, seanca e të cilit u mbajt sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Të akuzuarit, Lutfi Dervishi dhe Sokol Hajdini ishin të pranishëm në seancën e sotme, ndërsa përfaqësuesja e palëve të dëmtuara mungoi.

Express është duke raportuar rregullisht nga të gjitha seancat për rastin “Medicus”, ku tash e disa muaj kanë filluar të dëgjohen dëshmitarët e këtij rasti.

Të përfshirë si dëshmitarë në këtë rast janë edhe mjekët që kanë punuar atëkohë në “Medicus”. Të njëjtët, atëkohë kanë vepruar dhe disa vazhdojnë të veprojnë ende në QKUK.

Dëshminë e parë lidhur me këtë rast Komani e kishte dhënë në vitin 2011, për të cilën tha të mërkurën se i qëndron prapa asaj deklarate. Ai ka punuar në pozitën e kryeshefit të Inspektoratit të Shëndetësisë për 5 vite, nga viti 2006 deri në vitin 2010, shkruan Gazeta Express.

Për punën e tij, por edhe në bazë të parimit, Komani tha se ligji për shëndetësi dhe ligji i praktikës private e obligon institucionin privat që të mbajë evidenca për secilin pacient. Për këtë çështje ai tha se, për fat të keq, nuk ka ndodhur në atë kohë, por nuk po ndodh as tani.

Ai dëshmoi para gjykatës se detyrë e Inspektoratit gjithashtu ishte të inspektojnë dokumentet dhe shënimet e institucioneve private.

“Me sa më kujtohet, një ndër detyrat ka qenë edhe kontrollet e dokumentacionit mjekësor. Përveç shënimeve mjekësorë që është dashur t’i mbajnë institucionet, në të dhënat e pacientit normalisht që duhet të figurojë edhe diagnoza, trajtimi dhe emri i stafit mjekësor që e kanë trajtuar atë”, tha Komani.

Në vazhdën e dhënies së dëshmisë, Komani tha se duhet të bëjë një ndërhyrje të vogël në këtë temë. Ai tha se nga viti 2010 deri në vitin 2013 ka pasur probleme personale, sepse është sëmurë, duke thënë se është munduar t’i harrojë të gjitha të kaluarat dhe problemet që i ka pasur. Këto probleme personale i tha gjyqtares se i janë shkaktuar nga gjyqësia.

“Më duhet të bëj një ndërhyrje të vogël. Nga viti 2010 deri 2013, kam pas shumë probleme personale, pastaj jam sëmurë, kam sëmundje dhe jam mundu që t’i harroj të kaluarat dhe problemet që i kam kaluar. Ia kam arrit t’i harroj. Këto probleme personale kanë qenë shkaku i gjyqësisë”, i tha Zef Komani gjyqtares së EULEX, Francheska Ficher.

Pas kësaj ndërhyrjeje të vogël, Komani u pyet nga Prokurorja e EULEX, Valeria Bolici se a kanë pasur të drejtë pacientët që janë trajtuar në atë institucion të kenë qasje në të dhënat e tyre mjekësore. Për këtë Komani tha se është e drejtë e garantuar me ligj.

Pasi që tha disa herë se i ka harruar të kaluarat, Komanit iu rikujtua nga prokurorja disa kujtime të së kaluarës, duke e përfshirë edhe bastisjen që është bërë në Klinikën famëkeqe “Medicus” në vitin 2008.

Ai u pyet se a e mban mend një pacient që ishte në “Medicus” në ditën kur është kryer bastisja. Komani u përgjigj se i kujtohet si pacient, madje e përshkroi atë se si dukej.

“Po, më kujtohet, ka qenë një i vjetër në moshë”, tha Komani.

Ky pacient, është Bezalel Shafran nga Izraeli, për të cilin Gazeta Express ka shkruar dhe ka publikuar deklaratën e tij të dhënë në polici dhe në prokurori në vitin kur u mbyll klinika. Ai kishte treguar tërë skenarin se si ka arritur në Kosovë, kush i ka thënë atij të vijë të bëjë transplant në Kosovë dhe kush ishin mjekët që ia bënë transplantin e veshkës. Shafran madje kishte dëshmuar se ishte takuar në Kosovë edhe me dhuruesin e veshkës, Altun.

“Ky pacient është transferu nga Medicus në QKUK. Ai më pas është kthyer prapë në Medicus”, tha Komani.

Një dokument që mban datën 5 nëntor 2008, një ditë pasi u bë bastisja e “Medicus” (4 nëntor 2008), u prezantua nga prokurorja e EULEX, dhe u shënua si provë materiale nga gjyqtarja e rastit.

Ky dokument ishte dërguar nga Zef Komani drejtuar Ministrit të Shëndetësisë atëkohë, Alush Gashit. Kjo kopje u është dërguar edhe shtatë personave të tjerë, ndër të cilët kryeprokurorit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, prokurorit të çështjes “Medicus”, nënkolonelit të Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe shefit të Forenzikës.

Dokumenti përmban shkrimin: “Mbrëmë më 4 nëntor, ne kemi mbajtur një takim (pjesë e takimit ishin emrat e lartcekur), pas diskutimit që patëm për situatën shëndetësore për personin që ka bërë transplant në Medicus. Gjithashtu, e marrim në konsideratë që i njëjti person ka nevojë për terapi specifike të cilën ende nuk e ka marrë”.

Ky dokument ishte i nënshkruar nga Ilir Rrecaj, atëkohë sekretar permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, dhe ka shërbyer si konfirmim për licencim.

 “Ne kemi vendosur që pacienti të kthehet në Medicus për vazhdimin e tretmanit, për arsye humanitare dhe sigurie. Pacienti duhet të jetë nën kujdesjen e stafit që i ka kryer transplant, kurse pacienti që ka dhënë veshkën të qëndrojë në klinikën urologjike në QKUK”, shkruhej më tej në dokument.

Në një dokument tjetër të paraqitur sot në seancën gjyqësore, që mban datën 12 maj 2008, për të cilin dokument mbrojtja pretendoi se ishte aprovim për licencë, Komani tha se tani po i vinë gjërat në kokë “flashback”.

“Tani më kujtohet që i kam dhënë disa intervista nëpër televizione ndërkombëtare për këtë rast dhe më kujtohet që televizionit japonez i kam thënë që edhe pse nuk e besoj se kanë bërë transplante, po nëse ishte bërë, ata duhet të marrim çmim Nobel, për arsye se në QKUK jo që s’ka pasë terapi për mbrojtjen e transplantit, por nuk kanë as sot. Unë nuk kam mundur ta lë pacientin në një institucion i cili nuk ka pas mundësi t’i ofrojë shërbimet shëndetësore”, tha Komani.

Dokumenti i lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë më 7 maj 2008, ishte një licencë për spitalin privat “Medicus” për kirurgji, e lëshuar në emër të mjekut gjerman Manfred Beer. Komani tha se gjatë përvojës së tij si inspektor, ka shkruar dhe lëshuar raporte sa i përket asaj çka është shkruar në licencë, ashtu siç ka figuruar në licencë.

“Inspektorati shëndetësor nuk ka qenë sektor që ka lëshu licenca, ne vetëm kemi konstatuar ato që janë shkruar në to”, ka thënë Komani.

Si parim, ai tha se kur janë kthyer nga një inspektim, kanë shkuar në departamentin e institucioneve shëndetësore, ku janë njoftuar se çfarë shërbimesh mund t’i ofrojë ai spital. Por, sa i përket licencimit të profesionistëve shëndetësorë, Komani tha se ka vlejtur i njëjti parim.

“Vlen i njëjti parim. Ne kur kemi shkuar në institucionin shëndetësor, i kemi marrë emrat e atyre profesionistëve që i kemi gjetur duke punuar dhe jemi kthyer në Ministrinë e Shëndetësisë, gjegjësisht në shërbimin për licencimin e profesionistëve shëndetësorë, pasi atëkohë s’ka pasur departament por ishte vetëm si shërbim”, ka thënë Komani.

Ai tha se detyrë e inspektoratit ishte edhe kontrollimi i profesionistëve shëndetësorë të huaj të cilët kanë vepruar në institucione private.

Avokati i Lutfi Dervishit, Valon Hasani prezantoi dy dokumente, të cilat u shënuan si prova materiale nga gjykatësja.

Për njërin dokument, Komani nuk mundi të deklarohej pasi s’kishe vulë të protokollit të Ministrisë, ndërsa sa i përket dokumentit të dytë, ai tha se ishte i rregullt. Te po ky dokument që Komani e cilësoi si të rregullt pasi ishte i protokolluar, tha se janë listuar dy profesionistë të huaj, dr. Hake dhe dr. Yusuf Sonmez. Dokumenti në fjalë thoshte se u lejohej angazhimi i përkohshëm këtyre dy profesionistëve në Kosovë, por jo më shumë se 30 ditë, deri më 30 mars të 2008, shkruan Gazeta Express.

Sipas aktakuzës, thuhet se informatat e fluturimeve dhe listat e udhëtarëve tregojnë se dr. Sonmez ka ardhur në klinikën “Medicus” në prill/maj, qershor, korrik, gusht dhe tetor të 2008’ës. Këto vizita, thotë aktakuza, kanë qenë me qëllim të kryerjes së operacioneve të transplantit.

Emri i dr. Sonmez paraqitet në ditarët e anesteziologjisë së klinikës “Medicus” si njëri prej mjekëve që kanë kryer së paku 29 operacione, të referuar si transplantimi i veshkës ose operacionet e heqjes së veshkës. Ai ndryshe njihet edhe si “Dr. Vampiri”.

“... Institucioni shëndetësor është i obliguar që të licencojë veprimtarinë shëndetësore. Ky vendim hyn në fuqi nga Kryetari i Bordit qendror për licencim dhe regjistrim dhe nga Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi”, shkruante më tej në dokumentin e paraqitur nga mbrojtja e Lutfi Dervishit.

Për dokumentin tjetër, që nuk ishte i protokolluar, i shënuar si provë materiale me nr.19, Komani tha se është vendim i njëjtë për dy mjekët, por me ndryshim të afatit.

“Në cilësinë e inspektorit nëse më ishte treguar ky dokument, duke e mohuar faktin e mos protokollimit në këtë rast, detyra ime e parë ishte që ta bëjë inspektimin dhe t’iu besoj dokumenteve të nënshkruara nga ministri aktual, si dhe të nënshkruara nga përgjegjësit e dy sektorëve që ishin në ministri - atë për licencimin e profesionistëve të huaj dhe atë të licencimit të institucionit”, tha Komani.

Gjyqtarja e rastit pyeti dëshmitarin pas kësaj se si i sheh këto dokumente, të cilat binin në kundërshtim; njëri ishte një konfirmim për licencim, i nënshkruar nga Ilir Rrecaj dhe tjetri ishte dokumenti i pavlefshëm për shkak se nuk e ka autoritetin e licencimit. Në bazë të këtyre dokumentacioneve, Komani kishte lëshuar dokumentin e parë për transferimin e pacientit të fundit i cili u dërgua në QKUK, që të kthehej prapë në Klinikën “Medicus”, për arsye se ai ka vlerësuar se pacienti duhet trajtuar nga stafi që i kanë kryer transplantimin pasi që atëkohë në QKUK s’ka pasur terapi për personat që kanë kryer transplant.

“Ka qenë fjala për me shpëtu jetën e një pacienti në QKUK. Atë natë kam qenë i sigurt që pacienti brenda 24 orëve do të vdesë. Edhe sikur mos t’kish qenë fare ky dokument, unë prapë e kisha gjet një mënyrë morale dhe ligjore që me e kthy pacientin aty. Por, më vonë kur e kam përgatitë raportin për inspektim, e kam konstatu gjendjen e dokumentit”, ka thënë dëshmitari Komani sot në gjykatë.

Ai tha se për dokumentin në të cilin shkruan se është konfirmim për licencim, nuk mund të thotë se është valid.

“Këtij dokumenti i mungon vula e protokollit, përndryshe Ilir Rrecaj që e ka nënshkruar këtë dokument, i cili ishte shef për licencim, me siguri ka pas të drejtë që e ka lëshuar këtë konfirmim për licencë. Kjo nuk është licencë, është vetëm konfirmim”, tha Komani, duke shtuar se për këtë çështje duhet të pyetet vetë Rrecaj.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se Ilir Rrecaj, atëkohë në pozitën e Ushtruesit të Detyre Sekretar permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, ka qenë edhe Kryesues i Bordit për licencime të institucioneve private nga viti 2007.

Sipas aktakuzës, Rrecaj ka mohuar se letra të cilën ai e ka nënshkruar, e datës 12 maj 2008, është licencë e cila i mundëson “Medicusit” të kryejë transplante. Ai e ka shkruar këtë letër si përgjigje në kërkesën të cilën e ka parashkruar klinika më datën 02.05.2008, e nënshkruar nga Arban Dervishi, e cila kërkonte t’i lëshohej licenca për dhënien e shërbimeve urologjike përfshirë edhe transplantim të veshkave.

Gjithmonë sipas aktakuzës, thuhet se Lutfi Dervishi e ka parashtruar një letër tjetër të datës 04.08.2008 me kërkesë të përsëritur për lëshimin e licencës për transplantim të veshkave e cila thotë se ai tashmë ka investuar të holla për blerjen e pajisjeve për të kryer kësi lloj operacione. Aktakuza thotë se Dervishi madje e ka telefonuar gati 10 herë Rrecajn për këtë çështje.

Lutfi Dervishi akuzohet se atëkohë ka organizuar, themeluar, mbikëqyrur, menaxhuar, ose drejtuar aktivitetet e një grupi kriminal të organizuar, së bashku me Yusuf Sonmez dhe Moshe Harel, bashkëkonspirator pa aktakuzë të ngritur.

Djali i Lutfi Dervishit, gjithashtu është i përfshirë në këtë rast, mirëpo procedura ndaj tij është e veçuar pasi ai ndodhet në arrati. Arban Dervishi dyshohet se ka kontribuar qenësisht në kryerjen e veprës penale, duke përfshirë rekrutimin, transportin, transferimin, si dhe duke mbajtur të fshehur pranimin e personave me qëllim të shfrytëzimit.

Gazeta Express në vitin 2014 ka bërë një hulumtim për këtë ekip famëkeq të Medicus’it, të cilët shkatërruan imazhin e Kosovës.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet heqje lirie. Këta ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008.

Seanca e radhës do të mbahet nesër me 23 nëntor 2017, në të cilën do të dëshmojë dëshmitari Milazim Tahirukaj./M.K/GazetaExpress/

    Data: 22 Nentor 2017 18:00
    Autori: Morena Kokollari

    Të tjera