Kthehu lart

Shtatë “gabimet” e kryeprokurorit Lumezi

Shtatë “gabimet” e kryeprokurorit Lumezi Autori: Vehbi Kajtazi GazetaExpress

Aleksandër Lumezi, ka ndërmarrë disa veprime me anë të së cilave ka krijuar shumë armiq. Hetimet kundër Enver Hasanit; hetimet kundër Adem Grabovcit dhe protagonistëve tjerë të përgjimeve; hetimet dhe aktakuzat kundër shumë kryetarëve të komunave; aktakuza për krime luftë kundër Fatmir Limajt; hetimet për rastin e KEDS-it; hetimet për manipulime me lista të veteranëve; dhe hetimet dhe arrestimi i Milaim Zekës – po i kushtojnë Aleksandër Lumezit me sulme, përfshirë hyrjen në shtëpi me qëllim të dërgimit të mesazhit që mos të “bëjë gabime tjera”

“Keni me u pendu kon e keni zgjedh kryeprokuror”- kishte paralajmëruar Enver Hasani kolegët e tij të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014, kur kjo Gjykatë herën e dytë e kishte vlerësuar si të rregullt procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit të Shtetit.
Aleksandër Lumezi kishte ardhur në krye të organit të akuzës.
Natyrisht që Enver Hasani nuk kishte se si të ishte i kënaqur me ardhjen e Lumezit. Ai nuk do t’ia mbante më në sirtar dosjet hetimore siç kishte bërë Ismet Kabashi, për vite të tëra.

Lënia e lirë e prokurorëve për të kryer punën e tyre, rezultoi me akuzimin dhe dënimin për korrupsion të ish-rektorit dhe ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata e shkallës së parë konstatoi se Enver Hasani është i korruptuar.
Hasani, sigurisht i ka ditur veprimet e tij në të kaluarën. Prandaj, ka bërë çdo që ka mundur – përfshirë përpjekjet që vetë të bëhej kryeprokuror.
Lufta kundër krimit dhe korrupsionit pas pensionimit të Ismet Kabashit, nuk është se ka ndryshuar shumë. Megjithatë, hetime për interesa politike e klanore nuk janë ndalur, siç kishte ndodhur me rastin e Enver Hasanit.

Gjatë tri vjetëve Prokuroria nën udhëheqjen e Lumezit, ka ndërmarrë shtatë veprime të rëndësishme që mund të cilësohen “gabime” të tij të cilat i kushtuan me sulme publike, të cilat kishin nisur prej kohës së zgjedhjes së tij si kryeprokuror.

“Gabimi i parë” i Lumezit ishte hetimi dhe ngritja e dy aktakuzave kundër Enver Hasanit – njëra për shpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte rektor dhe tjetra për falsifikim dhe shpërdorim të detyrës sa ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Subjekti i këtyre hetimeve qëllon të jetë Enver Hasani – njeriu që ka kryer më së shumti favore politike në Kosovë.

Për më “keq” i bashkakuzuar me Hasanin, ishte edhe Albert Rakipi – një mik i afërm i themeluesit të Grupit KOHA, Veton Surroi.
“Gabimi i dytë” i Lumezit ishin hetimet e urdhëruara nga vetë ai për aferën e përgjimeve me protagonistin kryesor Adem Grabovcin, Lumezit nisën t’i kushtojnë me sulme, përfshirë hyrjen natën në shtëpinë e tij të “disa hajnave”.
“Gabimi i tretë” i Lumezit ishin aktakuzat dhe hetimet për shumë kryetarë komunash, kryesisht të PDK-së.
“Gabimi i katërt” i Lumezit ishte aktakuza për krime lufte kundër Fatmir Limajt e ngritur nga një prokurore vendëse.
“Gabimi i pestë” i Lumezit ishin hetimet për privatizimin e rrjetit të energjisë elektrike dhe falja e disa hidrocentraleve për biznesmenët turq në mënyrë të fshehtë dhe krejtësisht të paligjshme.
“Gabimi i gjashtë” i Lumezit ishin hetimet për mashtrime me lista të veteranëve të UÇK-së. Manipulimet dhe trefishimi i veteranëve janë kryer nga Agim Çeku dhe të gjithë komandantët e Zonave Operative të Kosovës.
Dhe “Gabimi i shtatë” i Lumezit ishin hetimet dhe arrestimi i deputetit të Nismës, Milaim Zeka – një ish-gazetar i lidhur me grupe politike dhe kriminale.

Po mos t’i bënte këto “gabime”, Lumezi jo që nuk do të sulmohej nga shumë anë, por do të përkëdhelej e ruhej nga politika, grupet e interesit dhe Enver Hasani.
Historia e “falsifikimit” të provimit të jurispodencës nga Lumezi nuk është e re. Ajo është përfolur për vite të tëra. Gjurmuesi i parë i dosjes së Lumezit, rezulton të jetë i dënuari për korrupsion, Enver Hasani, i cili me anë të Gjykatës Kushtetuese e kishte rrëzuar njëherë Lumezin. Herën e parë që Gjykata Kushtetuese e kishte marrë në shqyrtim lëndën e zgjedhjes së kryeprokurorit të Shtetit – kishte bërë vetë shkelje ligjore dhe kushtetuese. E kishte shqyrtuar rastin pa u shterur të gjitha mjetet e rregullta juridike siç është kontesti në Gjykatën Themelore të Prishtinës në Departamentin Administrativ.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte paragjykuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës në rastin e ankesave të prokurorëve Shyqyri Syla dhe Laura Pula, ende pa u nxjerr ai.
Kur kishte vendosur që ankesat e prokurorëve, kandidatë për kryeprokuror të Shtetit t’i shpallë të pranueshme ishte arsyetuar se Gjykata Themelore, Departamenti Administrativ nuk është efikas.
“Megjithatë, Gjykata (Kushtetuese v.j.) vëren se, edhe në qoftë se ka mjete juridike, në rastin e parashtruesit (Shyqyri Syla v.j.) nuk janë dëshmuar si efikase. Për me tepër, duke marrë parasysh specificitetin e procedurës se zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit te Shtetit dhe domosdoshmërinë që kjo të bëhet në kohën e duhur, Gjykata është e mendimit që nuk ka mjete juridike për shterim”, thuhej në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Në fakt, ankesat e kandidatëve në gjykatën e rregullt nuk ishin shqyrtuar ende. Në këtë mënyrë nuk ishin shterur mjetet juridike siç parashihet me pikën 7 të nenit 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Megjithatë Kushtetuesja i kishte shpallur të pranueshme dhe kishte vendosur ta anulonte vendimin për zgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit duke urdhëruar kthimin e procesit në fillim me arsyetimin se kishte shkelje kushtetuese në dëm të dy kandidatëve nga Këshilli Prokurorial.
“Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike përcaktuara me ligj”, thuhej në këtë pikë.
Rrjedhimisht, neni 113.7 i Kushtetutës së Kosovës mbi kërkesat individuale, kërkon nga Gjykata Kushtetuese që paraprakisht të përcaktojë nëse janë shteruar të gjitha mjetet juridike në lidhje me vendimin e institucioneve publike me të cilin pretendohet se është bërë shkelje e të drejtave të njeriut.  Në pajtim me këtë nen dhe nenin 22 të Ligjit mbi Gjykatën Kushtetuese, Rregullorja e punës, përkatësisht neni 36 përcakton se Gjykata mund t’i shqyrtojë kërkesat vetëm nëse: janë shteruar të gjitha mjetet juridike efektive të përcaktuara me Ligj kundër vendimit ose kundër aktgjykimit të kundërshtuar; kërkesa parashtrohet brenda katër muajsh nga dita e dorëzimit të vendimit të mjetit të fundit juridik efektiv te parashtruesi; ose kërkesa nuk është qartazi e bazuar.
Paralelisht kandidatët për kryeprokuror kishin bërë padi edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës në departamentin Administrativ. Vendimet e Këshillit Prokurorial janë akte administrative dhe atakohen në këtë Gjykatë.
Me gjithë shkeljet Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese kishte prishur procesin për ta kthyer atë në pikën zero. Këshilli Prokuroria e kishte zbatuar pikë për pikë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kësisoj nuk kishte më hapësirë për ankesë.
Duke e parë këtë situatë, të gjithë kundërkandidatët e Lumezit ishin tërhequr nga gara për kryeprokuror. Këtë e kishin bërë me synimin se Këshilli Prokurorial nuk do të mund të vazhdonte procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit vetëm me një kandidat. Por, ligjet në fuqi nuk e ndalonin një gjë të tillë. Si rezultat, Lumezi u bë kryeprokuror.
Por, grupet e interesit nuk ishin dorëzuar.
Ditën kur presidentja Atifete Jahjaga duhej të dekretonte Lumezin si kryeprokuror, një letër që për autor kishte një kriminel të dënuar për korrupsion, ish-prokurorin Nazmi Mustafi, kishte mbërritur në Presidencë.
Nazmi Mustafi i kishte shkruar prokurorit të EULEX-it, Heikki Wendorf se Pashkë Mirashi, në bashkëpunim me Hashim Rexhepin dhe vëllezërit Lumezi “kishin planifikuar vrasjen e tij”.
Mustafi, ish-shef i Task Forcës kundër korrupsionit, që është i dënuar me 5 vjet burgim për marrje të 30 mijë eurove ryshfet nga Pashk Mirashit, ish-likuidator i Bankës Kreditore të Prishtinës. Mustafi po ashtu ishte dënuar për shkak se u kishte kërkuar ryshfet edhe vëllait të kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, Albert Lumezit – drejtor aktual i NLB-Prishtinës dhe kolegëve të tij, Lavdim Kushutova dhe Vullnet Latifi. Mustafi kishte akuzuar për korrupsion ish-guvernatorit Hashim Rexhepi, por aktakuza kundër tij ishte hedhur poshtë në fazën e konfirmimit.
Bazuar në këtë informacion, prokurori finlandez i ka shkruar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga me kërkesë që mos ta dekretojë kryeprokurorin sepse kishte informacione se ishte i përfshirë në një komplot vrasjeje.
Mustafi kishte kërkuar takim me prokurorin finlandez. Për këtë ishte i informuar edhe kolegu i tij, Armend Hamiti. Asnjëri nuk kishin shkuar në takim, por kishin dërguar dy hetues policor që kishin folur me Mustafin. Disa ditë më vonë, Mustafi kishte shkruar një letër dhe ia kishte dorëzuar prokurorit të EULEX-it. Letrën ia kishte dërguar disa javë para se presidentja të merrte vendim për dekretim të kryeprokurorit.
Në maj të vitit 2013, Nazmi Mustafi është dënuar me burgim prej pesë vjetësh. Tek pas shpalljes së aktgjykimit dënues kishte akuzuar Aleksandër Lumezin për montim të rastit.
“S’ka drejtësi këtu, dihet kush qëndron në prapavijë… Emrat janë Aleksandër Lumezi, që e ka mbrojtur vëllain e vet dhe Ismet Kabashi. Ata kanë krijuar monopol në drejtësinë në Kosovë”, kishte thënë ai.
Mustafi kishte nisur një hetim kundër Vullnet Latifit – zyrtar në bankën BpB, Lavdim Koshutovës dhe Albert Lumezit – zyrtarë në bankën NLB Prishtina me pretendimin se kishin kryer vepër penale gjatë shitjes së aksioneve të bankave që kishin drejtuar. Mustafi i kishte ndjekur ata nën dyshimin se kishin kryer shpërdorime në ekonomi derisa kishin shitur Kasabanka dhe Banka e Re e Kosovës. Hetimi ishte iniciuar nga një letër anonime në vitin 2008.
Tre bankierët kishin marrë shpërblim nga një shumë të konsiderueshme nga aksionarët për “shitje të suksesshme të aksioneve’ tek sllovenët.
Derisa po i hetonte, shtetasja e Shqipërisë Mirela Ndoci kishte shkuar tek ata dhe kishte kërkuar para për mbylljen e rastit. Ajo kishte rolin e ndërmjetësueses. Për këto veprime Ndoci ishte dënuar gjashtë muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë për veprën penale dhënie e ndihmës në shpërdorimin e detyrës zyrtare ose autorizimit duke marrë një shumë të pacaktuar parash nga të dyshuarit.
Letra ishte sqaruar po atë ditë. EULEX-i ishte distancuar nga veprimet e prokurorit dhe e kishte larguar nga misioni, derisa Lumezi ishte dekretuar si kryeprokuror.
Vijon

/Insajderi

    Data: 15 Nentor 2017 11:53
    Autori: Vehbi Kajtazi
    • Antidoti kundër lajmeve të rreme

      Antidoti kundër lajmeve të rreme 0

    Të tjera