Kthehu lart

Të drejtën për të votuar diaspora e fiton me punë dhe ndihma Kosovës

Të drejtën për të votuar diaspora e fiton me punë dhe ndihma Kosovës Autori: Faton Abdullahu GazetaExpress

Diaspora e Kosovës është prezente në Kosovë në forma të ndryshme dhe vazhdimisht. Ajo është e informuar pandalshëm për atë që ndodhë në Kosovë. E drejta e saj për të votuar nuk është vetëm një e drejtë morale, por pragmatike dhe e rëndësishme e cila duhet edhe ta bëj ndryshimin, pse jo. Vota e diasporës është votë e mençur dhe largpamëse

Të konstatosh se votimi i diasporës nuk është i drejtë në zgjedhjet lokale, sepse mërgimtarët nuk jetojnë në Kosovë, thënë duke u përmbajtur dhe duke përdorë frenat e mirësjelljes, gabim i madh. Ai që konstaton kështu ose kurrë nuk e ka provuar çka është kurbeti ose kurbeti i duket sefa e përzgjedhur nga dëshira për të mos jetuar në 'Kosovën e keqe'. Si të mos ketë të drejtë të votoj mërgimtari, ai që i ka dhënë Kosovës frymë atëherë kur ajo ngulfatej për vdekje, të mos ketë të drejtë të votoj diaspora e jonë ajo që ja dha pushkën Kosovës kur nuk e kishte, ja dha zërin kumbues të dëgjohet nëpër botë, kur ajo pëshpëriste, ja dha krenarin kur ajo po përdhosej gjithandej në çdo katund e qytet. Të drejtën për të votuar diaspora jonë e fiton me punë dhe ndihma Kosovës. Edhe sot pa diasporën sofra e çdo familje në Kosovë do të ishte më e varfër, pa diasporën do të kishim më pak shkolla, më pak shtëpi, më pak spitale, çerdhe, as varret nuk do t'i kishim të rregulluara sa i kemi, thjeshtë pa te, do të kishim më pak jetë të dinjitetshme. Ajo jep aq shumë për atdheun e vet dhe flet aq pak për këtë. A ka kuptim të ja mohojmë të drejtën të flas me votën e saj. Ajo është e bindur deri në vdekje se e ka borxh, obligim moral, detyrë patriotike, edukatë familjare, ta ndihmoj familjen dhe atdheun. Thonë kur myslimani bije sexhde është më së afërmi zotit, kuptoni se, mërgimtari më së afërmi zotit është kur e ndihmon Kosovën. Kur mërgimtari e bën këtë përtërihet, ngazëllehet, forcohet dhe i shtyn më lehtë ditët e kurbetit, të cilat edhe po qëndrove 30 vite atje, kurrë nuk bëhen ditë të rehatshme, as të lehta. Ai ka të drejtë të votoj dhe për shpërblim nga ne kërkon në fund vetëm dy metra tokë për varr. Ai që nuk e kupton se mërgimtari gjithmonë ka një vrasje ndërgjegje pse nuk është në Kosovë ai nuk e njeh diasporën e Kosovës. Mërgimtari e ndihmon Kosovën, sepse dëshiron që ta kompensojë këtë mungesë.

Ne si shtet i kemi hyrë në hak shumë diasporës në këtë drejtim dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë pa e kuptuar se po ja bëjmë të keqen vetit. Diaspora e Kosovës është prezente në Kosovë në forma të ndryshme dhe vazhdimisht. Ajo është e informuar pandalshëm për atë që ndodhë në Kosovë. E drejta e saj për të votuar nuk është vetëm një e drejtë morale, por pragmatike dhe e rëndësishme e cila duhet edhe ta bëj ndryshimin, pse jo. Vota e diasporës është votë e mençur dhe largpamëse. Diaspora shpesh është pjesa më e përparuar e Kosovës. Është mu e kundërta. Jemi ne si shtet dhe si shoqëri që duhet të bëjmë shumë më shumë që zëri i diasporës tonë të dëgjohet më shumë. Jemi ne që kemi ngecur shumë për ta ndihmuar këtë diasporë të organizohet më mirë, të konsolidohet më shumë, të vije më shpesh në Kosovë, dhe kur vije puna edhe të dal në numër më të madh për të votuar. Për këto ngecje në rend të parë është faji i shtetit tonë. Shtetet e tjera me diasporë më të vogël se ne, në përpjesëtim me numrin  e popullsisë, në këtë drejtim bëjnë shumë më shumë. Jemi ne ata që në forma të ndryshme duhet ta bëjmë të mundshme që diaspora jonë ta ketë fjalën e vet, votën e vet dhe të drejtën edhe për vendimmarrje në sfera të ndryshme të jetës tonë. 

    Data: 22 Nentor 2017 10:53
    Autori: Faton Abdullahu

    Të tjera